Shkruan: Musa Sabedini
3 Maji – Dita Botërore e Lirisë së Medias, nuk duhet të reduktohet në një shënim simbolik kalendarik, por të shërbejë si moment reflektimi profesional dhe etik për rolin thelbësor të gazetarisë në shoqëritë demokratike.
Kjo ditë rikujton se liria e medias është e pandashme nga përgjegjësia për saktësi, paanësi dhe integritet, duke kërkuar nga gazetarët një angazhim të vazhdueshëm për profesionalizim dhe respektim të standardeve më të larta të raportimit.
Gazetaria, si shërbim ndaj interesit publik, mbetet një mekanizëm i domosdoshëm për llogaridhënie dhe transparencë, sidomos përballë tendencave që cenojnë vlerat demokratike. Në këtë kontekst, një urim i veçantë u takon të gjithë gazetarëve që qëndrojnë në vijën e parë të mbrojtjes së vërtetës, shpesh përballë presioneve dhe rreziqeve.
Sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes; përkundrazi, ata duhet të mbrohen dhe të mbështeten në misionin e tyre për të nxjerrë në dritë të vërtetat dhe për të kontribuar në një shoqëri më të drejtë e më të informuar.
Nuk zgjidhet problemi duke etiketuar apo përjashtuar, por duke ngritur standardin profesional që i detyron të gjithë të reflektojnë.
Këshilla ime për çdo gazetar është e thjeshtë dhe e panegociueshme, besnikëria juaj duhet të jetë ndaj publikut dhe së vërtetës, jo ndaj pushtetit. Gazetaria humb kuptimin në momentin që zëvendëson rolin mbikëqyrës me rolin mbrojtës të institucioneve. Solidariteti profesional nuk është luks, por detyrim, mbrojtja e kolegëve kur cenohen është mbrojtje e vetë lirisë së medias.
Prandaj, çdo gazetar duhet të rikthehet te parimet themelore: pavarësi editoriale, integritet, verifikim faktesh dhe guxim për të kërkuar llogari.
Vetëm kështu mund të ndërtohet një kulturë mediatike që nuk i shërben pushtetit, por qytetarit.
