Votuesit do të ballafaqohen me një sfidë “çoroditëse” gjatë zgjedhjeve muajin e ardhshëm në Shën Pjetërburg, Rusi.
Tre kandidatë – të gjithë me të njëjtin emër dhe pamje të ngjashme – do të shfaqen në fletëvotim për të garuar për zgjedhjet parlamentare.
Boris Vishnevsky, një politikan i mirënjohur në qytetin e dytë më të madh në Rusi, do të garojë kundër dy kundërshtarëve të tjerë. Të dy ata quhen “Boris Vishnevsky” dhe të dy vuajnë nga rënia e flokëve dhe mbajnë një mjekër të shkurtër.
“I kam parë të dy Vishnevsky-t e rremë pak kohë më parë dhe ata e kanë ndryshuar në mënyrë drastike pamjen e tyre për t’u dukur më shumë si unë,” tha Vishnevsky i vërtetë.
“Njëri prej tyre dukej tërësisht ndryshe vetëm pak kohë më parë. Emri i tij ishte Viktor Bykov… dhe në faqen e tij zyrtare ai duket tërësisht ndryshe, pa mjekër dhe pa mustaqe.”
Kjo është një taktikë mjaft e njohur në Rusi, kur emrat e ngjashëm të kandidatëve përdoren për të ulur mbështetjen për një politikan opozitar popullor.
Politikanët e opozitës ruse janë mësuar të gjejnë kandidatë me mbiemra identik me ta, gjatë garave elektorale në mënyrë që të konfuzojnë votuesit ditën e zgjedhjeve, por tani duket se imituesit po ndryshojnë edhe paraqitjen e tyre vetëm për të arritur qëllimet e veta.
“Atyre nuk u intereson për ndërgjegjen, reputacionin, nderin, as atyre as shefave të tyre,” shtoi Vishnevsky./euronews.al