Në Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë në sallën “1 Tetori” po vijon vaksinimi i personelit shëndetësor me vaksinën Pfizer kundër COVID-19. Vetëm sot mbi 200 persona nga personeli shëndetësor janë vaksinuar me këtë vaksinë.
Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit “1 Tetori”, Niman Bardhi tha se sot janë vaksinuar 200 persona nga personeli shëndetësor në këtë qendër, duke dërguar numrin total të të vaksinuarve në rreth 29 mijë.
“Sot jemi në ditën e shtatë me radhë nga 5 maji e tutje mbi procesin e vaksinimit në sallën “1 Tetori” aktualisht për ditën e sodit deri në këto qaste që ne po flasim kemi mbi 200 të vaksinuar edhe sot kemi vazhduar po ashtu me personelin shëndetësor, ndërsa nëse i referohemi statistikave totale deri më sot kemi kaluar 4 mijë doza të vaksinës Pfizer të aplikuara në sallën “1 Tetori”, ndërsa në numrin total në nivel vendi nga dita e parë e vaksinimit 29 marsit e sot kemi aktualisht rreth 29 mijë të vaksinuar”, tha ai.
4 mijë doza Pfizer/BioNTech donacion i BE-së arritën javën e kaluar në Kosovë, gjithashtu dje në Kosovë arritën mbi 3 mijë e 500 doza po të njëjtës vaksinë. Kurse nesër pritet të arijnë 38 mijë e 400 vaksina AstraZeneca.