Sot rreth orës 03:55 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë, se në rrugën “Gjon Serreqi ” në një lokal afarist një person kishte depërtuar me forcë dhe ishte në proces të vjedhjes.
Policia e Kosovës ka rrethuar zonën dhe lokalin, ndërsa në flagrancë ka kapur të dyshuarin E.D., shtetas i Shqipërisë, i moshës 28-vjeçar dhe e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.
Rreth orës 09:00 në stacionin e policisë në Ferizaj nga disa qytetarë janë raportuar edhe katër raste të vjedhjeve të rënda në lokale të ndryshme afariste, të cilat kanë ndodhur gjatë natës në rrugët “Enver Topalli”, ” 12 Qershori” dhe ” Gjon Serreqi” dhe të cilat dyshohet se i ka kryer i dyshuari i arrestuar E.D.
Hetuesit dhe krimteknikët e stacionit të policisë dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë ekzaminuar vendet e ngjarjeve dhe janë duke bashkëpunuar dhe duke i verifikuar të dhënat tjera, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë edhe në disa raste tjera të vjedhjeve të rënda në Ferizaj.
I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.