UBT News

26-vjetori i masakrës në Tërnje të Therandës, Kurti: Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës

Në përvjetorin e 26-të të masakrës së Tërnjes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në një ceremoni përkujtimore në nderim të të rënëve, duke vendosur kurora me lule pranë varrezave të atyre që u vranë barbarisht nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një moment reflektimi dhe nderimi për ata që sakrifikuan jetën për lirinë e popullit shqiptar.

“Ne përkulemi me nderim dhe gjithashtu me mirënjohje të thellë, e me falënderim të përzemërt për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për lirinë e popullit tonë, për çlirimin e Kosovës. Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës dhe tani na mbetet një pjesë më e vogël e punës, por e rëndësishme, që ta forcojmë shtetin tonë, ta forcojmë shtëpinë e popullit, në mënyrë që brezave të ardhshëm kurrë të mos iu bie të vuajnë, të kenë dhembje apo të përjetojnë humbjet që ne kemi kaluar”, tha Kurti.

Ai gjithashtu i dha një respekt të veçantë nënave shqiptare, të cilat rritën bijat dhe bijtë që ishin jo vetëm qytetarë të dinjitetshëm të Republikës, por gjithashtu luftëtarë të mëdhenj për lirinë e popullit.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi të të gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan për lirinë e popullit, duke përfshirë ata që u flijuan nga fshati juaj, Tërnje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Masakra e Tërnjes, e ndodhur më 25 mars 1999, ishte një nga shumë krimet që forcat serbe kryen gjatë luftës në Kosovë, duke lënë pas vetë shumë të vrarë dhe të zhdukur, dhe që u shënua me një dhimbje të madhe për popullin e Kosovës./UBTNews/

Exit mobile version