UBT News

26 pacientë me dializë morën dozën e parë të vaksinës antiCOVID

Nga dita e djeshme kur ka nisur vaksinimi i personave me dializë në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, dozën e parë të vaksinës AstraZeneca e kanë marrë 26 persona, ndërsa deri në mesditën e sotme janë vaksinuar 14 pacientë të kësaj kategorie.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi tha se deri më tani janë vaksinuar 1 mijë e 334 persona të moshës mbi 80-vjeç, përfshirë edhe ata me dializë. Bardhi thotë se qytetarët që po vaksinohen nuk kanë pasur ndonjë shqetësim pasi morën vaksinën.

“Edhe sot kemi vazhduar me vaksinimin e tri kategorive tek pacientët me dializë, tek grupmoshat që janë mbi 80-vjeç dhe për profesionistët shëndetësorë. Aktualisht deri në këto çaste (ora 12:00) që ne flasim janë të vaksinuar gjithsej 38 persona, ku prej tyre 14 janë pacientë me dializë, kurse po vaksinohen edhe personat mbi moshën 80-vjeçare dhe profesionistë shëndetësorë. Nëse i referohemi numrit total, nga kjo periudhë kur kemi filluar aktualisht i kemi 1 mijë e 334 të vaksinuar flasim për moshën mbi 80-vjeç, përfshirë tani dhe kategorinë me personat me dializë. Aktualisht deri më tani persona me dializë të vaksinuar janë 26, dje dhe sot. Fatbardhësisht deri në këtë moment çdo gjë ka shkuar mirë”, tha ai.

Bardhi njoftoi se 105 banorë dhe personel mjekësor në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

Ndërsa Ramadan Seferaj pasi e mori vaksinën tha se po ndjehet mirë, duke shtuar se është regjistruar një javë më herët për t’u vaksinuar përmes aplikacionit E-Kosova.

“Shumë mirë jam. Kurrfarë sëmundje nuk kam. Jam 80-vjeçar. Ne edhe kemi aplikuar para 1 javë, vaksinën duhet patjetër ta marrim” , tha ai.

Dozën e parë të vaksinës AstraZeneca sot e mori edhe Istref Tahiri, i cili është afër të 80-tave. Ai thotë se nuk ka hezituar të vaksinohet, madje thotë se secili duhet ta marrë vaksinën.

“Shumë mirë (po ndjehem). Kurrë nuk kam pasur, as nuk kam qenë i sëmurë, i kam 79 vjet e dy muaj. Nuk kam hezituar të vaksinohem. Vaksinat duhet të merren”, tha Tahiri.

Përmes një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se në tri ditët e ardhshme në Prishtinë dhe në të gjitha komunat, do të fillojë vaksinimi i personave të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim.

Kosova po vazhdon tutje shpërndarjen e 24 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, të cilat në Kosovë arritën më 28 mars. Me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca mundësi të vaksinimit kanë pasur profesionistët shëndetësorë, personat mbi moshën 80-vjeçe dhe ata me sëmundje kronike.

Exit mobile version