UBT News

25-vjetori i masakrës së Reçakut, familjarët kërkojnë drejtësi e liri për çlirimtarët

Mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999, ishte i kobshëm për 45 civilë në fshatin Reçak të Shtimes. E 25 vjet pas kësaj ngjarjeje, të freskëta janë kujtimet për familjarët e viktimave të gjenocidit serb. 

Në mesin e 45 viktimave, Hafiz Mustafa e kishte djalin 22 vjeçar. Mustafa tregoi si ishte munduar t’i bartte kufomat pas ca ditësh nga Prishtina. Rrëfen se 15 janari ishte dita më e rëndë në jetën e tij.

“Unë di me u thënë e gëzofshi lirinë, po iu them së pari. Ai çka ka dit ka bë, kam familjar këtu, djalin tim e djalin e vëllait të dy nga 22 vjet. Me këto duar i kem bartur, aty ku i kanë mbytur ka qenë pjesë më lartë e ne i kemi bartur tani jemi shkuar, na kanë thirrur mbas 29 dite i kemi marrë në Prishtinë, për prindër është më zor se këta dëshmor kanë shkuar, por e gëzofshin të rinjtë lirinë”, u shpreh ai.

Mustafa tregoi edhe për tmerrin që kanë përjetuar atë ditë, teksa kishte i kishte parë kufomat pa kokë.

“I kemi edhe 1 mijë e 600 të pagjetur, udhëheqësia jonë nuk e di sa është duke interesuar në ta. 90 vjet e ka mbytur pa asgjë, ne kemi varrosur edhe njerëz pa kokë, ia ka marrë kokën, çka ka ditë keq ka bërë, por e falënderojmë amerikën se jemi ku jemi. Vetëm kemi qenë që i kemi bartur por na kanë ndihmuar edhe tjerë, se nesër nuk i kemi pas këtu… Ka mbytur fëmijë deri në 8 vjeç, pleq s’ka zgjedhur veç me i largu nga këtu, por unë dua sot që të gjithë ta kemi mirë mes veti, dhe lutem që ata në Hagë të kthehen në shtëpi se nuk kanë bërë asnjë lloj krim, se unë këtu kam qenë në këtë fshat dhe i di të gjitha çka kanë bërë, nuk e di më shtet tonin se si duhet vepruar”, u shpreh ai.

Se në këtë fshat pati krim kundër njerëzimit e thotë edhe Aziz Beqiri, i cili e ka të humbur një familjar.

“Djalin e vëllait e kam këtu të mbytur, mirëpo familjarët janë më të prekur se na, por prej kësaj çka ka ndodhe falënderoj shefin e vëzhgueseve, William Walker, që e ka treguar të drejtën, e dashtë Zoti, familjen e tij dhe atij i jep shëndet”, deklaroi ai.

E Sahit Bajrami në këtë masakër e humbi vëllain e tij, ende pa i bërë 30 vjeç.

“Në kohën e luftës unë kam qenë këtu e ky (vëllai i tij) është mbytur i pari në Reçak. Vëllai im ka pas një masakër të keqe, ishte i ri atëherë as 30 vjet s’i ka pas, edhe ne kemi qenë por lufta luftë. Shteti asgjë, përveç rregullimit të këtij (lapidari) ndoshta duhet edhe në shumë me bo por prapë mirë është, ne duhet të pajtohemi se nuk kemi çka të bëjmë”, u shpreh ai.

Exit mobile version