Ambasadorët e vendeve mike në Kosovë e kanë cilësuar masakrën e Krushës së Madhe si pikënisje e ndërhyrjes së NATO-s mbi shtetin serb. Në 25-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Rahovecit, ambasadorët kërkuan që kryerësit të dalin para drejtësisë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje dhe mundëson që faktet historike mos të kontestohen.
“Ky muze do t’i ndihmojë të gjithë atyre që vijnë ta shohin atë, ta mësojnë atë që ne tanimë e dijmë, të mos lajthitet se faktet historike janë të pakontestueshme. NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e shtetit, Marilyn Albright tha: “e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë”, deklaroi ai.
“Aksionet e NATO-s kanë synim të shtyejnë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’i jap fund mizorive dhe krizës humanitare. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterrur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, u shpreh Hovenier.
Ai ka shprehur ngushëllimet e tij dhe solidaritetin me familjet e viktimave në cilësinë e përfaqësuesit të presidentit amerikan në Kosovë.
Hovenier ka thënë se e kupton që familjet dhe të mbijetuarit e kësaj masakre kanë kërkuar themelimin e muzeut qe 25 vjet, teksa është shprehur krenar për kontributin amerikan në proces.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenare që i kemi mbështetur deri diku përpjekjet e juaja, përmes trajnimit të 30 kosovarëve për shkathtësi të intervistimit, etikë të historisë gojore dhe arkivimit si pjesë e historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se masakrat si ajo në Krushë të Madhe të Rahocecit 25 vjet më parë treguar se kishte ardhur koha për ndërhyrjen e NATO-s.
Rohde foli për masakrën që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, ndërsa tha se qëndrojnë pas vendimit se intervenimi ushtarak i NATO-s “ishte gjëja e duhur”.
“Kjo si dhe masakrat tjera, vetëm treguan se kishte ardhur koha tashmë që NATO të ndërhynte për ta shmangur atë tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik i cili po ndodhte këtu”, tha Rohde.
Ambasadori gjerman kërkoi që autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.
“Shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati dhe krejt çka mund të them, është që kjo nuk do të duhej të lejohej”, tha ai.
Në fund, Rohde uroi që Kosova të anëtarësohet në BE së shpejti.
“Shpresoj që Kosova bashkë me të gjithë fqinjtë e saj, së shpejti do t’i bashkohet familjes evropiane”, tha ai.
Ndërsa ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se “duke respektuar të kaluarën hapim një të ardhme”.
Ndërsa për hapjen e muzeut, ai bëri me dije se nuk është vetëm një akt kujtimi, por një deklaratë e guximshme e angazhimit kolektiv për të vërtetën, për drejtësinë e për pajtimin.
“Ne këtu jemi mbledhur nën hijen e një historie të zymtë, në një ditë të shënuar nga pikëllimi dhe respekti i thellë. Sot këtu përurohet një muze kushtuar kujtimit të masakrës në Krushë, një tragjedie të papërshkrueshme”, deklaroi Malaj.