Ministria e Drejtësisë ka certifikuar 248 kandidatë të cilët kanë përfunduar me sukses Provimin e Jurisprudencës.
Certifikatat u ndanë sot në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i ministrisë dhe familjarë të kandidatëve.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, i uroi kandidatët për përfundimin me sukses të kësaj etape të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional.
“Pas këtij numri fshihen vite të tëra shkollim, muaj e muaj përgatitje, shumë punë, sakrificë, por edhe pritje. Familje që kanë pritur dhe sakrifikuar së bashku me ju. Plane për karrierën dhe për të ardhmen”, u shpreh Gërvalla.
Ajo theksoi se certifikimi sjell edhe përgjegjësi të reja për profesionistët e rinj të drejtësisë.
“Të jesh profesionist ligjor nuk do të thotë vetëm ta njohësh ligjin. Do të thotë ta kesh guximin ta mbrosh ligjin. Të mos bësh kompromis me padrejtësinë. Të mos e përdorësh profesionin për privilegj, por vetëm për drejtësi”, tha ministrja.
Gërvalla tha se Republika e Kosovës ka nevojë për profesionistë që besojnë në ligj dhe që nuk dorëzohen përballë presionit, interesit apo padrejtësisë.
“Sot ju festoni një sukses shumë të merituar. Mbajeni këtë sukses me krenari, por mbani gjithmonë edhe përgjegjësinë që vjen me të, sepse drejtësia kërkohet pikërisht me ju”, deklaroi ajo.
Ministrja bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë punën për modernizimin e Provimit të Jurisprudencës përmes digjitalizimit dhe procedurave më efikase, transparente dhe të qasshme.
Sipas Gërvallës, në këtë afat Provimin e Jurisprudencës e kanë kaluar shumëfish më shumë kandidatë sesa në afatet e mëparshme, gjë që, sipas saj, dëshmon potencialin e brezit të ri të juristëve në Kosovë.
Me këtë rast, ajo falënderoi kryesuesin e Komisionit, Arian Gashi, anëtarët e tjerë të Komisionit dhe stafin e Ministrisë së Drejtësisë për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit.
Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Genc Nimoni, kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i Ministrisë së Drejtësisë dhe familjarët e kandidatëve të certifikuar./A.K/
