Me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës është mbajtur ceremoni solemne për nder të shënimit të kësaj dite.
Fillimisht u bën homazhe pranë lapidarëve të policëve të rënë në krye të detyrës për të vazhduar edhe me një minutë heshtje për nderim të kësaj.
Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo ditë do festohej ndryshe, por që si pasojë e pandemisë ishin të obliguar që organizimi të jetë simbolik. Ai shtoi se mbështetja e tij dhe ministrisë do jetë edhe më e madhe.
Ministri ka bërë të ditur se si pasojë e COVID-19, 24 pjesëtarë të Policisë kanë vdekur, kurse 7 mijë e 912 janë vaksinuar edhe 1 mijë e 268 janë në radhë për t’u vaksinuar.
“Sot është një ditë e shënuar, duke kremtuar kështu 6 shtatorin e vitit 1999-të me pranimin e kadetëve të parë. E sot numërojmë me mbi 9 mijë policë. Në këtë ditë kemi menduar të festojmë ndryshe këtë ditë duke bërë që nga pandemia të festohet me kufizime. Nga 1 vit e gjysmë pandemi Policia gjithmonë ka qëndruar në front vetëm e vetëm që të mbrojnë qytetarët, dhe fatkeqësisht kemi 24 policë te vdekur nga pandemia”, tha Sveçla.
Tutje ai tha se falënderimi i takon secilit pjesëtarë të Policisë që punon fort për sigurinë në vend.