Masakra në Pastasellë të komunës së Rahovecit është një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.
Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.
Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 22 vjetësh figurojnë të pagjetur.
Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona.
Me rastin e shënimit të kësaj dite të dhimbshme, ushtruesi i detyrës së presidentit, njëherësh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do të bëjë sot homazhe në Pastasellë, në orën 12:45.
Ndryshe, për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri më tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.