UBT News

22 vjet burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë për grabitjen në Shtime

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.T., A.M. dhe A.T.1. shtetas të Republikës së Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për veprën penale vjedhje grabitqare.

Kryetari i Trupit Gjykues, Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurit A.T dhe A.M. i ka shpallur fajtorë dhe i shqiptoi dënim burgimi për secilin në kohëzgjatje prej shtatë 7 vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro. Kurse, të pandehurin A.T.1. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetë vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijepesëqind euro.

“Të pandehurit akuzohen se më 07.08.2019, në fshatin Petroviq komuna e Shtimes, të duke vepruar si anëtar të grupit, me dashje dhe përgatitje paraprake si dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht janë takuar në Prishtinë, janë marrë vesh mes vete lidhur me veprimet e secilit nga ta, ashtu që me veturën të cilën e ka drejtuar tani i ndjeri F.G., janë nisë në drejtim të Shtimes, ndërsa me të arritur në fshatin Petroviq, e kanë ndalë veturën, me ç’rast të pandehurit A.T dhe A.M. kanë qëndruar në veturë duke pritë në gjendje gatishmërie, ndërsa i ndjeri F.G. dhe i pandehuri A.T.1. dalin nga vetura, të maskuar dhe të armatosur, nisen në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit, depërtojnë me forcë në brendi të shtëpisë dhe nga dhoma ku i dëmtuari kishte vendosur paratë e sjella nga Zvicra, arrijnë të marrin shumën e të hollave prej 24.000 franga zvicerane dhe një orë dore të markës ‘Rolex’ në vlerë prej 15.000 franga, por që në dalje të shtëpisë, përkatësisht në terasë, zihen në befasi nga pronari i shtëpisë-i dëmtuari në kryerjen e aktit të vjedhjes, prandaj me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajnë, përdorin forcën dhe kanosjen serioze duke sulmuar jetën dhe trupin e të dëmtuarit, ashtu që fillojnë të përleshen, me ç ‘rast gjatë përleshjes i dëmtuari N.N plagoset me armë zjarri”, thuhet në njofitm.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Exit mobile version