Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale ndaj gjashtë të pandehurve me inicialet N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J. dhe R.B.
N.S. është dënuar me katër vjet heqje lirie dhe 4.500 euro gjobë për vepër penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues – konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për të kryer vepër penale, të cilat u urdhërua që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
M.R. është dënuar me 10 vjet burg dhe 10.000 euro gjobë për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale vrasje e rëndë.
E akuzuara S.A., është liruar nga akuza për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale vrasja e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
D.M. është dënuar me katër vjet burg për vepër penale në bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. I njëjti është liruar nga akuza për vepër penale zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Z.J. është dënuar me katër vjet dhe 10.000 euro gjobë për vepër penale në bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues – konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për të kryer vepër penale, të cilat u urdhërua që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Për të akuzuarin R.B., u refuzua akuza për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me vepër penale vrasja e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarit M.R., me vendim të veçantë iu caktua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit por duke mos e kaluar dënimin e vërtetuar – shqiptuar me aktgjykim.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore – juridike u udhëzuan në kontest të rregullt civil.
Të akuzuarit S.A. dhe R.B., u liruan nga shpenzimet e procedurës për shkak të marrjes së aktgjykimit lirues respektivisht, refuzues ndaj tyre. Të akuzuarit N.S., M.R., D.M. dhe Z.J., secili veç e veç u obliguan të paguajnë 350 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe 100 euro në emër të Fondit për Kompensim të Viktimave të Krimit.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.