UBT News

210 statuja të Mozartit vidhen nga një ekspozitë në Salzburg

Një ekspozitë në Salzburg, kushtuar 270-vjetorit të lindjes së Wolfgang Amadeus Mozartit, ka përfunduar në qendër të vëmendjes pas një serie vjedhjesh të pazakonta.

Nga gjithsej 320 statuja të arta që paraqesin Mozartin së bashku me qenin e tij, Pimperl, janë zhdukur plot 210. Veprat janë krijuar nga artisti gjerman Ottmar Horl dhe ishin vendosur në kopshtin përpara shtëpisë së dikurshme të Mozartit, në hapësirat e banimit dhe në disa pavijone të ekspozitës.

Vjedhjet kanë nisur që në ditët e para të ekspozitës. Më shumë se 80 statuja janë zhdukur vetëm gjatë dy javëve të para, duke bërë që artisti të dyshojë se nuk bëhet fjalë thjesht për vizitorë që i kanë marrë si suvenire, por për një vjedhje të organizuar.

Edhe pse statujat janë të arta në pamje, vlera e tyre nuk është veçanërisht e lartë. Secila ishte planifikuar të shitej pas përfundimit të ekspozitës për rreth 100 euro. Organizatorët kishin përgatitur edhe disa statuja rezervë, por jo aq sa për të zëvendësuar numrin e madh të veprave të vjedhura.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme.

Kjo nuk është hera e parë që veprat e Ottmar Horl bëhen objekt vjedhjeje. Artisti ka treguar se më herët, në Bayreuth të Gjermanisë, iu vodh e gjithë një ekspozitë me figura të kompozitorit Richard Wagner.

Mozarti, një nga kompozitorët më të njohur në historinë e muzikës, lindi më 27 janar 1756 në Salzburg. Përmes këtyre statujave, Horl synoi të paraqiste një anë më njerëzore dhe më të afërt të tij, duke e shfaqur kompozitorin në shoqërinë e qenit të tij Pimperl./A.K/

Exit mobile version