UBT News

209 gjoba për sektorin e gastronomisë

Në vazhdën e kontrolleve për përmbushje tatimore, Administrata Tatimore e Kosovës bën të ditur se javën e kaluar ka inspektuar klubet e natës dhe restoranteve në qytete të ndryshme të vendit.

Këto kontrolle janë iniciuar me qëllim të monitorimit dhe verifikimit të zbatimit të ligjeve dhe rregullave tatimore, kur kemi parasysh se tek këta sektorë në sezonin e verës kemi shumëfishim të aktivitetit. Në fokus të inspektimeve kanë qenë disa aspekte kyçe, si:

Arkat fiskale, inspektorët kanë verifikuar nëse klubet e natës dhe restorantet kanë përdorur arkën fiskale, ku kanë kërkuar nga pronarët që të gjitha transaksionet e tyre financiare të regjistrohen me korrektësi. Si rezultat janë konfiskuar 4 printer jo-fiskal;

punëtorët e pa deklaruar, në përpjekje për të luftuar ekonominë informale dhe garantuar të drejtat e punonjësve, inspektorët kanë kontrolluar vërtetësinë e punës dhe deklarimin e punonjësve të klubeve të natës dhe restoranteve, me ç’ rast janë gjetur duke punuar 63 punëtorë të padeklaruar;

Veç këtyre, kontrollet gjithashtu kanë adresuar çështje tatimore të tjera, si përmbushja e detyrimeve të tatimit mbi fitimin dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për furnizime të ndryshme dhe shërbime. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjithsej janë 209 gjoba në vlerë 48 mijë e 875 euro.

Administrata Tatimore inkurajojnë bizneset e këtyre sektorëve të respektojnë ligjet tatimor dhe të bashkëpunojnë për të shmangur shkeljet dhe për të kontribuar në zhvillimin e një ambienti të drejtë dhe konkurrues.

Autoriteti Tatimor po punon për të forcuar mbikëqyrjen tatimore dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve tatimore. Kjo nismë është thelbësore në ruajtjen e integritetit të sistemit tatimor dhe në sigurimin e të ardhurave të nevojshme për investimet në shërbime publike dhe zhvillimin e vendit.

Exit mobile version