UBT News

203 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta

Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mbledhjen e Qeverisë janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 203 mijë euro për shoqatat e kategorive të dala nga lufta dhe për Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës.

Lidhur me këtë mbështetje financiare, si propozues i kësaj kërkese, ministri i MPMS, Skender Reçica, ka thënë se kujdesi ndaj vlerave të luftës çlirimtare, respektivisht ndaj ushtarëve çlirimtarë, të cilët na bëjnë krenarë sa herë kujtojmë se liria nuk erdhi vetë, është obligim i yni institucional.

“Prandaj, mbështetja e kategorive të dala nga lufta kërkon përkushtimin tonë, dhe ne tashmë jemi dakorduar bashkërisht me Kryeministrin dhe me përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta që përkujdesja ndaj invalidëve të luftës çlirimtare, respektivisht trajtimi mjekësor i tyre me proteza, nga viti i ardhshëm të rregullohet në mënyrë institucionale përmes institucioneve përgjegjëse shëndetësore dhe shërbimit spitalor klinike universitar, sikur që jemi dakorduar që mbështetja financiare për shoqatat e dala nga lufta nga viti i ardhshëm të përfshihet në ligjin për buxhetin e shtetit”, ka thënë ministri Reçica.

Reçica ka thënë se të ndodhur në situatë pandemie dhe nisur nga nevoja për mbështetje emergjente për kategoritë e dala nga lufta, duhet ndarja e mjeteve financiare në shumën prej 203,000.00 euro: për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së si dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës.

“Ky vendim ka për qëllim përkrahjen financiare të këtyre shoqatave, për shkak të gjendjes emergjente të shkaktuar nga COVID-19 dhe gjendjes po ashtu të rëndë për funksionimin dhe kryerjen e obligimeve të tyre, si dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës. Ky fond do të ndahet në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ministri Reçica.

“Këto mjete do të ndahen si në vijim: 17,000.00 € do të ndahen për aktivitetet e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve. 34,000.00 € do të ndahen për mbështetje të Organizatës se Veteranëve të Luftës së UÇK-së; 15.000.00 € do të ndahen për mbulimin e shpenzimeve për funksionimin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së; 125,000.00 do të ndahen për mbulimin e shpenzimeve për proteza për Invalidët e Luftës së UÇK-së, të cilët e ka gjendjen e rëndë shëndetësore dhe kanë nevojë të domosdoshme për to. Po ashtu me qëllim të mbështetjes për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve dhe funksionimin e Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, në kuadër të së cilës funksionojnë 30 Organizata Komunale të Pensionistëve do te ndahen 12,000 euro”, deklaroi ai.

Exit mobile version