Varianti Delta Plus i koronavirusit po shpërndahet në një numër të madh shtetesh, përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Indinë.
Ky variant, që mori vëmendje të madhe mediatike, njihet si B. 1.617.2.1, dhe është version tjetër i variantit Delta që së pari u identifikua në Indi, në muajin shkurt.
Varianti Delta Plus së pari u shfaq në Britani të Madhe, më 11 qershor. Por rastet e para mund të jenë shfaqur edhe më herët, saktësisht më 26 prill në Britani.
Rreth 200 raste me këtë variant janë identifikuar në 11 vende. Ekspertët shëndetësorë po hetojnë nëse Delta Plus mund të jetë më i transmetueshëm se llojet e tjera të varianteve, si Alpha ose Delta – por është shumë herët të thuhet me siguri se cilat mund të jenë efektet e tij.
Ku dallon Delta Plus nga varianti Delta?
Të gjitha variantet kanë grupe mutacionesh. Delta Plus ka një mutacion ekstra që njihet si K417N, që e dallon nga varianti origjinal. Ky mutacion prek proteinën, një pjesë e virusit që shtyn qelizat të infektohen.
Ka edhe variante të tjera të Delta Plus me grupe mutacionesh tjera, thanë nga Qeveria indiane të mërkurën, duke shtuar se AY.1 ishte më i njohuri.
Varianti origjinal i Delta, i njohur si B.1.617.2 u përhap shumë shpejt në dhjetëra vende evropiane, dhe është 40-60% më i përhapur sesa varianti Alpha që së pari u identifikua në Angli, thotë Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
A është më i rrezikshëm ky variant?
Ekspertët thonë se varianti Delta Plus shfaq disa tipare shqetësuese si përhapja më e madhe, lidhja më e fortë me receptorët e qelizave të mushkërive dhe një reduktim i mundshëm i përgjigjes së antitrupave.
Në cilat shtete u shfaq ky virus?
Delta Plus u shfaq në 11 vende – por numri i rasteve për vend pasqyron vetëm rastet që janë detektuar, dhe duhet edhe më shumë të dhëna për ta përcaktuar shkallën e përhapjes.
Deri më tani 83 raste janë detektuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pastaj renditet Britania e Madhe me 41 raste dhe India me 40 raste. Rastet tjera janë shfaqur në Kanada, Japoni, Nepal, Poloni, Portugali, Rusi, Zvicër dhe Turqi./UBTNews