Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V., për shkak të veprave penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas gjykatës ai u dënua me burgim në kohëzgjatje prej tetëmbëdhjetë vjet, si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një vit e gjashtë muaj.
“Me dt.10.07.2021 rreth orës 00:20 min, në Mitrovicë … me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin D.S., dhe ka tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin J.S., si dhe kanë rrezikuar kalimtarët e rastit M.B., në atë mënyrë që si rezultat i një përleshje fizike që kishte ndodh më parë në kafene … në mes të djemve të J.S., Sh. dhe E.S., dhe të pandehurit F.V., ku më pas i pandehuri F. … që ishte në shoqërim me A.B., shkojnë tek autolarja ‘U’ që i përket të dëmtuarit J.S. dhe që gjendet te banesat ‘K.L.’ ku aty takohen me të dëmtuarin J.S. dhe D.S., ku në këtë rast i dëmtuari J.S., i drejtohet të pandehurit F.V., me fjalët ‘çka ka ndodhur bre L.’, L. pasi ja kthen me fjalët ‘kurrgjë axha J’, menjëherë e ka nxjerr armën të kalibrit 9x17mm e llojit “Feg” dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të J., dhe të ndjerit D., ku dy predha e godasin të ndjerin D., dhe një në regjionin e gjoksit në zemër, dhe një në abdomen ndërkaq i dëmtuari J., goditet me dy predha në abdomen dhe në shuplakën e dorës së majtë ku që të dy rrëzohen në tokë ndërkohë që i ndjeri D.S., nuk arrin të përballoj plagët dhe vdes”, thuhet në dispozitvin e aktgjykimit.
“Konform nenin 76 të KPRK-së, trupi gjykues të pandehurit i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt”, thuhet në njoftim.