18 gushti është Dita Ndërkombëtare e Gjeologjisë, shkencë kjo që shfrytëzohet për të zhvilluar shtetin nëpërmjet zbulimit të pasurive nëntokësore. Si çdo ditë ndërkombëtare që manifestohet me aktivitete të ndryshme në Kosovë, kjo ditë nuk shënohet.
Gjeologjia është shkenca që studion Tokën në mënyrë të gjithanshme e mundohet të shpjegojë se si është formuar Toka dhe si ndryshon ajo.
Studion përbërjen e Tokës, ndërtimin e saj, mënyrën e formimit të Tokës si trup qiellor si dhe historinë e Tokës që nga formimi i saj deri në ditët e sotme.
Shkencëtarët që merren me këtë shkencë quhen gjeologë dhe studiojnë truallin e shkëmbinjtë. Termi “gjeologji” nënkupton tërësinë e shkencave të tokës, mes të cilave ndodhet dhe gjeologjia vetë si nëndegë që studion shkëmbinjtë dhe ndërtimin gjeologjik të një rajoni apo krejt tokës.
Kjo shkencë gjen zbatim në studimin e vendburimeve të mineraleve të ngurta, naftës, materialeve të ndërtimit, dhe burimeve të ujërave nëntokësore.
Gjeologë shqiptarë dhe të huaj në Shqipëri, kanë zbuluar më shumë se 15 vendburime nafte, 6 vendburime gazi, 7 vendburime bitumi dhe mbi 500 vendburime minerale. Ndërsa, në Kosovë kohë më parë një banorë i fshatit Torinë të Komunës së Lipjanit, zbuloi se në tokën e tij ka gaz, ku u kërkua që institucionet përkatëse të zhvillojnë një studim gjeologjik për të konstatuar gjenezën, përbërjen dhe potencialin real të rrjedhës së këtij gazi.