UBT News

Dënohen mizoritë e supozuara në Ukrainë

Autoritetet ukrainase janë duke hetuar kryerje të mundshme të krimeve të luftës nga Rusia, meqë kanë gjetur qindra trupa nëpër rrugët e qytezave afër Kievit.

Ato kanë gjetur trupat pasi forcat e Kremlinit janë tërhequr për t’u përqendruar në pjesë tjera të Ukrainës.

Në qytezën Buça, 37 kilometra larg Kievit, një korrespodent i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë ka parë më 2 prill trupat e atyre që duket se kanë qenë civilë.

Në një lokacion të vetëm, ky korrespodent ka parë 10 trupa në rrugë.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve, Associated Press kanë parë të paktën 21 trupa në vende të ndryshme në këtë qytezë.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se trupat e të paktën 410 civilëve janë gjetur në zonën rreth Kievit, e cila është kontrolluar nga forcat ruse deri javën e kaluar.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes një deklarate të dielën, 3 prill, se të gjitha pamjet e publikuara nga autoritetet ukrainase për “krime” të kryera nga trupat ruse në Buça janë “provokim” dhe se asnjë banor i qytezës nuk është përballur me dhunë nga trupat ruse.

Në disa pamje satelitore është parë një gropë e madhe afër një kishe ukrainase, ku është identifikuar një varrezë masive.

Pamjet e shkatërrimit dhe dhunës kanë nxitur reagime nga shumë liderë botërorë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres ka bërë thirrje për hetime të pavarura.

“Putin dhe mbështetësit e tij do të ndjejnë pasojat”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke shtuar se aleatët e Perëndimit do të pajtohen për sanksione tjera në ditët në vijim.

Japonia ka thënë se do të konsultohet me aleatët për sanksione shtesë.

“Japonia i konsideron me shumë seriozitet vdekjet e civilëve të pafajshëm. Ne jemi të shokuar”, ka thënë shefi i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të diskutojë mundësinë e ndalimit të importimit të gazit rus.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë për Ukrainën të martën dhe nuk do të takohet të hënën, siç është kërkuar nga Rusia, ka thënë misioni i Britanisë në Kombet e Bashkuara, i cili mban presidencën e Këshillit me 15 vende anëtare.

Rusia ka kërkuar që të mbahet një takim të hënën për të diskutuar ato që i konsideron “provokime të radikalëve ukrainas” në qytezën Buça, pasi Kievi ka akuzuar trupat ruse për vrasje të civilëve atje.

Rusia ka mohuar vazhdimisht shënjestrimin e civilëve dhe ka hedhur poshtë supozimet për krime lufte.

Autoritetet ruse e konsiderojnë luftën në Ukrainë, si “operacion special ushtarak” me qëllim të “çmilitarizimit” dhe “denazifikimit” të Ukrainës.

Ukraina thotë se është pushtuar pa provokim.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch ka thënë se ka dokumentuar “disa raste kur forcat ushtarake ruse kanë kryer shkelje të ligjeve të luftës” në rajonet e Çernihivit, Harkivit dhe Kievit.

Ministria e Jashtme ukrainase kanë bërë thirrje që Gjykata Ndërkombëtare Penale të mbledhë të dhëna për ato që i konsideron krime të luftës.

Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë kanë thënë se do të mbështesnin hetime të tilla.

Megjithatë, ekspertët ligjorë besojnë se gjykimi i Putinit dhe liderëve të tjerë rusë do të ishte proces me shumë vështirësi dhe që do të mund të merrte vite.

Luftime të përhapura

Rusia ka tërhequr forcat që kanë kërcënuar Kievin, duke thënë se synon të fokusohet në lindje të Ukrainës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se Rusia pritet të mobilizojë rreth 60,000 rezervistë.

Të hënën, 4 prill, janë dëgjuar shpërthime të reja në qytetet Herson dhe Odesa, në jug të Ukrainës.

Inteligjenca britanike ka thënë se trupat ruse janë nisur drejt lindjes së Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është shfaqur përmes video-lidhjes në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy dhe u ka bërë thirrje shikuesve që të mbështesin Ukrainën “sido që munden”.

“Çka është e kundërta e muzikës? Heshtja e qyteteve të shkatërruara dhe njerëzve të vrarë”, ka thënë Zelensky.

Thirrja e tij është përcjellë me një këngë e John Legend dhe leximi i poezie nga poetja ukrainas, Lyubov Yakymchuk.

Zelensky, 44-vjeçar, ka bërë një mori thirrjesh për mbështetje të Ukrainës, prej pushtimit të këtij shteti nga Rusia më 24 shkurt.

Ai i është drejtuar Kongresit amerikan, dhe parlamenteve të Japonisë, Britanisë, Australisë, Izraelit e Gjermanisë, duke bërë thirrje për ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe më shumë sanksione për Rusinë.RFE

Exit mobile version