Një grup prej 17 shtetesh ka mirëpritur memorandumin e mirëkuptimit të shpallur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një mundësi për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e ekonomisë globale.
Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me 13 shtete të tjera, përgëzuan SHBA-në, Iranin dhe ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, për arritjen e këtij përparimi diplomatik.
Udhëheqësit theksuan se negociatat duhet të përfundojnë sa më shpejt dhe marrëveshja të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur procesin.
Në deklaratë u bë thirrje edhe për rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e lirisë së plotë të lundrimit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik dhe tregtar.
Shtetet nënshkruese ritheksuan se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në, Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për garantimin e këtij objektivi.
Po ashtu, ato deklaruan se janë të gatshme të shqyrtojnë heqjen e sanksioneve përkatëse nëse Irani ndërmerr hapa të qartë dhe të verifikueshëm lidhur me programin e tij bërthamor.
Nënshkruesit u zotuan të punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të ruajtur vrullin diplomatik dhe për të arritur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.
/A.K/
