Në komunën e Gjilanit ka ulje të infeksionit me COVID-19 ditët e fundit, po ashtu edhe ulje të numrit të të hospitalizuarve. Kështu ka njoftuar nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, në mbledhjen e radhës së Komitetit të Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Pavarësisht kësaj, unë apeloj tek të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat anti-COVID-19 sepse lufta kundër virusit vazhdon edhe më tutje, edhe atë në mënyrë agresive. Duke iu dëshiruar mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë, i lus që t’i përmbahen rregullave në mënyrë strikte”, tha Ismajli.
Në komunën e Gjilanit deri më tani janë marrë 7 mijë e 642 mostra, 3 mijë e 14 raste rezultuan pozitive, 2 mijë e 753 persona janë shëruar, 93 e kanë humbur betejën me COVID-19, 169 raste janë aktive, 36 në hospitalizim dhe 64 mostra në pritje për rezultat./UBTNews