UBT News

​16 projektligje në kushtetuese, Tahiri flet për shkeljen e rregullores në seancën e Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar në Gjykatën Kushtetuese ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, në seancën e 5 dhjetorit.

Në një konferencë për media kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se kanë paralajmëruar që do t’i dërgojnë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo ka shtuar se në konsultim me ekspertët i kanë proceduar 16 prej tyre.

PDK do t’i procedojë në Gjykatën Kushtetuese ligjet të cilat janë miratuar në seancën e 5 dhjetorit. Seancat e 5 dhjetorit kanë përcaktuar një standard jashtëzakonisht të dëmshëm dhe e kanë dhunuar jetën parlamentare në vendin tonë. Ato seanca kanë vendosur një rekord të zi parlamentar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ne kemi paralajmëruar që do t’i dërgojmë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, prej atyre të cilat janë miratuar mirëpo në konsultim me gjithë ekspertët tanë, sot i kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës 16 prej tyre, sepse katër prej tyre kemi pas dyshimet tona, dhe kemi qenë te dilema që nuk kanë ndodhur shkeljet siç kanë ndodhur në këto 16 projektligje tjera”, deklaroi Tahiri.

Ai ka thënë se ligji i cili është i kontestuar në këtë rast edhe në procedurë edhe në përmbajtje është ligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme.

Prej këtyre 16 projektligjeve, 15 prej tyre kontestohen vetëm në procedurë, ndërsa një nga ato kontestohet edhe në procedurë edhe në përmbajtje. Nuk mund të besoj se si kryetari i Kuvendit e dhunon rregulloren e Kuvendit duke pas afër edhe sekretarin e Kuvendit, administratën dhe zyrën ligjore në këtë rast. Pra, ligji i cili është i kontestuar në këtë rast edhe në procedurë edhe në përmbajtje është ligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfisikimin e Pasurisë së Paluajtshme. Në këtë rast duke pas parasysh që rregullorja e Kuvendit e ndalon shprehimisht që një ligj të miratohet në dy leximet brenda një ditë e kam të vështirë të besoj se një çështje kaq elementare mos të dihet edhe nga kryetari i Kuvendit dhe nga Ministrja e Drejtësisë. Ajo duhet të mbrojë ligjshmërinë“, ka shtuar ai.

Ndërsa ka përmendur edhe disa çështje tjera për të cilat tha se është shkelur rregullorja e Kuvendit. Ai tha se në disa raste janë ftuar për seancë me vonesë pasi e njëjta ka filluar.

Ka jashtëzakonisht shumë çështje që është shkel rregullorja e Kuvendit. Për seancën e cila është ftuar në 14:40 ne jemi ftuar në 15:01, pra 21 minuta me vonesë. Pastaj, në seancën e radhës ku është përcaktuar të mbahet në 19:30 ne jemi ftuar 19:31 pasi ka filluar seanca. Dhe në seancën e përcaktuar 20:30 ne jemi njoftuar në 22:42, pra është një shkelje flagrante e rregullores”, ka shtuar Tahiri.

Ndërsa ka thënë se Projektligjet tjera të cilat i kanë dorëzuar sot për procedurë në Gjykatën Kushtetuese janë: Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, ligji për bankat, ligji për inspektoratin qendror për mbikëqyrjen e tregut, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizimit, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për prokurori speciale, ligji për shërbimet e pagesave, ligji për provimin e maturës shtetërore, ligji për lojërat mesdhetare Prishtina 2030.

Exit mobile version