Në shkollat publike të Gjilanit aktualisht janë 35 të infektuar me COVID-19, prej tyre 16 mësimdhënës, 15 nxënës, një punonjës i administratës së shkollave dhe tre punëtorë teknikë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit me Komitetin e Emergjencave civile për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Gjendja e tyre është pa simptoma të mëdha dhe në shtëpitë e tyre. Apeloj që t’i bartni maskat, t’i pastroni duart dhe ta ruani distancën mes vete. Jemi në sezonin e vjeshtës me pritje të frikshme, por me besim të madh që kemi me menaxhuar drejt.”, ka thënë Haziri, në konferencën për media të së mërkurës.
Ai ka njoftuar se në Gjilan, brenda 8 muajve janë realizuar 4 mijë e 678 testime për COVID-19, 1 mijë e 308 janë të infektuar në total, 1 mijë e 53 të shëruar, 48 vdekur, 207 raste aktive, 13 të hospitalizuar dhe 137 mostra në pritje.
Haziri ka njoftuar se deri në fund të muajit nëntor, regjioni do ta ketë edhe laboratorin për testim me metodën PCR./UBTNews