Sot shënohen 16 ditë që minatorët e ndërmarrjes publike “Trepça” janë në grevë, për shkak të mosrealizimit të pagave për muajin qershor dhe shujtave ushqimore. Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, deklaroi se greva është në vazhdim për të dytën javë rresht, pasi minatorët nuk janë kthyer në vendet e tyre të punës përderisa nuk janë paguar.
Januzi shpjegoi se ndonëse përpjekjet janë bërë për të arritur një zgjidhje, menaxhmenti i ndërmarrjes nuk ka dhënë ndonjë afat të qartë për ekzekutimin e pagave. Mungesa e minatorëve në punë ka sjellë një humbje të konsiderueshme për ndërmarrjen “Trepça”, e cila përballet me humbje rreth 30 mijë euro në ditë për shkak të ndërprerjes së aktivitetit.
Januzi theksoi se minatorët kanë kërkuar që menaxhmenti dhe bordi mbikëqyrës të ofrojnë një përgjigje konkrete dhe të angazhohen për një zgjidhje të problemit përmes dialogut. Ai ka bërë të qartë se menaxhmenti ka hedhur fajin mbi keqmenaxhimin dhe borxhet e ndërmarrjes, por theksoi se minatorët nuk janë përgjegjës për këto probleme dhe kërkesa e tyre kryesore është ekzekutimi i pagave të prapambetura.
Januzi nënvizoi gjithashtu se minatorët nuk po zhvillojnë grevën në minierë për të ruajtur shëndetin e tyre. Ai shtoi se Njësia Biznesore e Minierave me Flotacion, që numëron rreth 700 punëtorë, është e gjitha në grevë për shkak të mungesës së pagave dhe se sindikata do të vazhdojë të mbrojë interesat e minatorëve.
Nga ana tjetër, Donika Osmani Mehmeti, zyrtare për komunikim me publikun nga ndërmarrja Trepça, tha për KosovaPress se ndërmarrja ndodhet në një situatë të pafavorshme financiare, e cila ka ndikuar në ekzekutimin e pagave. Ajo theksoi se ndërmarrja është përpjekur të menaxhojë situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë për të gjetur një zgjidhje.
Osmani-Mehmeti e konfirmoi se humbjet ditore për ndërmarrjen janë rreth 30 mijë euro dhe se aktualisht është e vështirë të përcaktohet se kur do të realizohen kërkesat e minatorëve. Megjithatë, ajo premtoi se do të bëjnë të pamundurën për të zgjidhur çështjen e pagave dhe për të rikthyer minatorët në vendet e tyre të punës.
Situata e krijuar në Trepçë ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka ngritur shqetësime për stabilitetin e kësaj ndërmarrjeje strategjike për ekonominë e Kosovës.