16 ankesa për parregullsi në ditën e zgjedhjeve janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nga partitë politike, OJQ-të, kandidatët për deputetë dhe individë të tjerë.
Ankesat kryesore të dorëzuara në PZAP kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore, duke bërë fushatë, dërgim i mesazheve telefonike, thirrje për të votuar subjektin e caktuar politik apo kandidatët e tyre.
Këto të dhëna për KosovaPress i ka bërë të ditura kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku, i cili tha se ndër ankesat për parregullsi në vendvotim është votimi i shumëfishtë.
“Brenda 24 orëve nga ora 19:00 e datës 14.02.2021 deri në ora 19:00 të datës 15.02.2021, PZAP ka pranuar 16 ankesa, për parregullsitë e ditës e zgjedhjeve te cilat janë paraqitur nga individë, subjekte politike, kandidatë për deputetë dhe organizata”, tha ai.
Ai tregoi edhe ankesat kryesore që janë bërë në këtë institucion, derisa nuk ka treguar se kur do të marrin vendim për to.
“Thyerje e heshtjes zgjedhor, bërja e fushatës zgjedhore, dërgimi i SMS, thirrje për te votuar subjektin e caktuar politik apo kandidatët e tyre. Parregullsi në vendvotim: Votim i shumëfishtë, mospërputhje e rezultateve, për shkak te shkeljeve te procedurave ligjor dhe Kushtetutës e të tjera”, tha ai.
Desku bëri të ditur se tri subjekte politike kanë paraqitur gjashtë ankesa.
“Birn ka paraqitur 7 ankesa, tri subjekte politike kanë paraqitur 6 ankesa. Komisionere e LDK-së ka paraqitur 1 ankesë. Kandidat për deputet i PDK-së ka paraqitur 1 ankese, një qytetar ka paraqitur 1 ankesë. Gjithsejtë janë paraqitur 16 ankesa”, tha ai për KosovaPress.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën të dielen e 14 shkurtit.