Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Sipas Policisë, në kuadër të këtyre aktiviteteve policia rajonale e Ferizajt gjatë muajit Janar-2023 ka shqiptuar 4522 gjoba kundërvajtëse, ndërsa ka hequr edhe 71 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion dhe u ka vazhduar masën mbrojtëse edhe 25 shoferëve tjerë, që kanë drejtuar automjetet e tyre nën masën mbrojtëse.
“Ndërsa, janë raportuar 155 aksidente, prej tyre 61 aksidente me lëndime dhe 94 aksidente me dëme materiale. Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë, për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim.