UBT News

15 vjet burg për planifikimin e sulmit në koncertin e Taylor Swift në Vjenë

Një 21-vjeçar austriak është dënuar me 15 vjet burgim pasi planifikoi një sulm xhihadist në koncertin e Taylor Swift në Vjenë gjatë turneut “Eras Tour” në gusht të vitit 2024.

I riu, i identifikuar si Beran A, u shpall fajtor edhe për disa vepra të tjera që lidhen me terrorizmin. Ai ishte arrestuar pas një informacioni të marrë nga CIA, pak para mbajtjes së koncertit të parë nga tri koncertet e planifikuara në stadiumin Ernst Happel në Vjenë.

Pas alarmit për sulm, të tre koncertet u anuluan menjëherë, duke prekur afro 200 mijë fansa të këngëtares amerikane.

Prokurorët thanë se Beran A ishte radikalizuar dhe kishte shprehur besnikëri ndaj grupit xhihadist ISIS. Sipas tyre, ai kishte tentuar të siguronte armë ilegale, përfshirë një mitraloz dhe një granatë dore, por pa sukses.

Në të njëjtin proces gjyqësor u dënua edhe një tjetër 21-vjeçar nga Sllovakia, Arda K, i cili mori 12 vjet burgim për lidhje me një celulë të ISIS-it, ndonëse nuk kishte qenë i përfshirë drejtpërdrejt në planin për sulmin ndaj koncertit.

Taylor Swift kishte reaguar më herët duke thënë se ngjarja i kishte krijuar “një ndjenjë të re frike”, por falënderoi autoritetet për parandalimin e sulmit.

Exit mobile version