Aktori 15-vjeçar, Owen Cooper, bëri histori të dielën në ceremoninë e çmimeve Emmy, duke fituar çmimin si Aktori Mbështetës më i Mirë në një Miniserial, Serial Antologjik ose Film Televiziv për rolin e tij në serialin “Adolescence”.
Me këtë fitore, ai u bë djali më i ri ndonjëherë që ka marrë këtë çmim prestigjioz. Cooper interpretoi rolin e Jamie Miller, një nxënës adoleshent i akuzuar për vrasjen e një shoku klase, rol kompleks dhe emocional që i dha jo vetëm çmimin, por edhe admirimin e kritikëve.
Seriali katër-orësh “Adolescence” nuk u ndal vetëm te kjo fitore. Ai rrëmbeu gjithashtu çmimin për Miniserialin më të Mirë, si dhe u vlerësua për regjinë, skenarin dhe interpretimet e shkëlqyera të Stephen Graham dhe Erin Doherty.
Në fjalimin e tij, Cooper tha: “Të jesh këtu. është thjesht, uou. Ka një ndjesi surreale. Kur fillova kurset e aktrimit disa vite më parë, as që e imagjinoja të isha në Shtetet e Bashkuara, e lëre më të isha në këtë skenë.”
Ai vazhdoi me një mesazh frymëzues për të rinjtë: “Sonte dëshmohet se, nëse dëgjon, përqendrohesh dhe del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish gjithçka në jetë. Kujt i intereson nëse ndonjëherë turpërohesh? Tre vjet më parë nuk isha askush, tani jam këtu.”
Ai falënderoi familjen, kolegët dhe ekipin: “Emri im mund të jetë në këtë çmim, por ai u përket të gjithëve që punuan pas kamerave.”
Me këtë fitore, Cooper theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Scott Jacoby, i cili ishte 16 vjeç kur fitoi një Emmy më 1973 për “That Certain Summer”. Roxanne Zahl vazhdon të mbajë rekordin absolut si fituesja më e re në kategori aktrimi, pasi fitoi në moshën 14 vjeç për rolin në “Something About Amelia” në vitin 1984.
Seriali është përgëzuar gjerësisht nga kritika dhe audienca për mënyrën se si trajton ndikimin e rrjeteve sociale në jetën dhe psikikën e adoleshentëve, duke e shndërruar serialin në një pasqyrë të rritjes në kohët moderne.
Përgatii: A.Z. /UBT News/