Askush s’të tregon për vështirësitë e të qenit i rritur. Të rriturit shpesh përballen me sfida që nuk i kishin imagjinuar kurrë.
“Adulthood” – periudha e pjekurisë – mund të jetë udhëtim i bukur e me përvoja, por i mbushur me vështirësi që të godasin papritur, duke e bërë jetën më të ndërlikuar sesa duket nga jashtë. Ja disa nga realitetet që shumica prej nesh zbulojmë vetëm kur i përjetojmë vetë.
1. Faturat që nuk mbarojnë kurrë
Qiraja, energjia, uji, interneti, abonimet që harrojmë t’i anulojmë dhe sapo mendon se i ke mbaruar të gjitha, vjen muaji tjetër. Papritur, ndihesh sikur punon jo për ëndrrat e tua, por për të mbijetuar. Është një cikël që të kujton çdo muaj se të jetuarit ka një kosto të madhe.
2. Kujdesi për prindërit
Askush nuk të përgatit për momentin kur rolet ndërrohen kur je ti ai që kujton prindërit për ilaçet, rezervon vizitat mjekësore apo u shpjegon si përdoret WhatsApp-i. Aty kupton se je vërtet i rritur.
3. Dhimbjet e së kaluarës
Jo çdo dhimbje lidhet me humbjen e dikujt. Ka edhe dhimbje që lidhen me miqësi që u shuan, ëndrra që nuk u realizuan a marrëdhënie që përfunduan. Këto janë plagë që nuk shërohen lehtë, sepse lidhen me gjëra që dikur i kemi dashur shumë.
4. Çmimi i mobilimit të jetës
Kur rritesh, kupton se një perde, pasqyrë apo tapet kushton më tepër sesa mendoje. Dikur thoshim: “Mami, bli një televizor më të madh!”, ndërsa tani pyesim: “Pse kushton televizori sa një rrogë mujore?”
5. Lufta për sukses
Na kanë thënë të punojmë fort, por jo sa e gjatë dhe e lodhshme mund të jetë rruga drejt suksesit. Duhet durim, disiplinë e qëndrueshmëri për të vazhduar edhe kur rezultatet vonojnë të duken.
6. Lodhja që nuk largohet
Nuk është lodhje fizike, por ekzistenciale nga përgjegjësitë, vendimet, ritmi i jetës. Edhe kur pushon, ndihesh sikur nuk ke pushuar aspak.
7. Çdo ditë, pyetja: “Çfarë do hamë sot?”
Planifikimi i vakteve duket si ide e mirë, derisa e kupton se pas disa ditësh çdo gjë bëhet monotone. Disa ditë nuk ke më fuqi të mendosh për darkën — vetëm për një gotë ujë.
8. Vetmia e pavarësisë
Të jesh i pavarur është një ndjenjë e bukur, por edhe e vetmuar. Edhe me miq e familje afër, ka momente kur e kupton se udhëtimi i rritjes është diçka që duhet ta bësh vetë.
9. Përballja me traumat e fëmijërisë
Me kalimin e kohës, kujtimet e dhimbshme që ke shtyrë për më vonë rikthehen. Frika, turpi a ndjenja e braktisjes kërkojnë përballje dhe vetëm si i rritur mund të përpiqesh t’i kuptosh e t’i shërosh.
10. Menaxhimi i jetës së përditshme
Nga pastrimi i shtëpisë te detyrimet e punës, marrëdhëniet e përballja me stresin, çdo gjë kërkon vëmendje të vazhdueshme. Ndonjëherë duket sikur dita s’mjafton për asgjë.
11. Ushqimet e detit, një luks i ri
Dikur peshku ishte zgjedhje e shëndetshme e përballueshme. Sot, çmimet e bëjnë të mendosh se ndoshta vjen drejtpërdrejt nga parajsa.
12. Trishtimi i pashmangshëm
Kur sheh prindërit që plaken para syve, e kupton se koha nuk ndalet për askënd. Është ndjesi që ngjall mall, frikë e mirënjohje njëkohësisht.
13. Sekretet e familjes
Familjet kanë shtresa të fshehta që i kupton vetëm kur rritesh. Disa sekrete ndryshojnë mënyrën si e sheh fëmijërinë tënde, edhe veten.
14. Rritja dhe ndarja nga e kaluara
Sa më shumë rritesh, aq më shumë ndryshon. Por, ata që ishin afër teje nuk e pranojnë këtë. Të kuptuarit bëhet më i vështirë, edhe me njerëzit që dikur të njihnin më mirë se kushdo.
15. Jeta nuk ndalon për askënd
Edhe kur ndihesh i rrënuar, jeta ecën para. Email-et, detyrat, angazhimet, asgjë nuk ndalon. Duhet forcë për të vazhduar, pavarësisht gjithçkaje. /A.Z/UBT News/
