15 pacientë që u helmuan nga ushqimi në një fast food në Malishevë janë duke marrë trajtim në Klinikën Infektive në QKUK. Detaje rreth gjendjes së tyre ka dhënë drejtori i klinikës, Arben Vishaj.
Vishaj u shpreh se gjendja e tyre është stabile, teksa shpreson në lirimin e tyre në një kohë të shkurtër.
“Po i kemi gjithsej 15 pacientë që jemi duke i trajtuar në Klinikën Infektive dhe janë duke manifestuar në formë klinike të mesatarisht të rëndë dhe formë të zakonshme klinike dhe po shpresojmë se në një kohë jo shumë të gjatë do t’i lirojmë disa nga këta pacientë. Jo nuk kemi formë që janë në forma të rënda klinike por janë mesatarisht të mesme”, u shpreh Vishaj.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se është arrestuar pronari i lokalit dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.
“Nga QKMF Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.