Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë, Nenad Orloviç, i cili po akuzohej për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës afër objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënë nga gjykatësja, Valbona Musliu-Selimaj.
Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari Orloviç u dënua me 15 muaj burgim”, ndërsa për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” u dënua me 12 mijë euro gjobë.
“… dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, derisa koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23 qershor 2023 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. Ndërsa, për veprën penale të kryer po ashtu në bashkëkryerje pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës ia vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje 6 muaj po konform nenit 44 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumë prej 12 mijë euro”, tha gjykatësja Musliu Selimaj.
Sipas aktgjykimit, dënimin me gjobë i akuzuari Orloviç duhet ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në të kundërtën, dënimin me gjobë gjykata do t’ia zëvendësojë në dënim me burgim, duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.
Gjykatësja Musliu-Selimaj bëri të ditur se me aktvendim të veçantë të akuzuarit Orloviç do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në kohëzgjatje të dënimit.
Gjykata po ashtu të akuzuarin Orloviç e obligon që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100 euro si dhe 100 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Meqenëse palët kanë deklaruar se heqin dorë nga e drejta e ankesës aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm menjëherë.
Ndryshe, në seancën e kaluar gjykata aprovuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Orloviç.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2024 thuhet se i akuzuari Orloviç më datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kane qenë në detyre zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht dhe trupin e këtyre personave zyrtare, e të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime i akuzuari Orloviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 par. 5 lidhur me par. 2 dhe 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë thuhet se i akuzuari Orloviç në datën dhe kohën e njëjtë si më lartë në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe peërkundër urdhrave të ushtareve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.
Me këto veprime i akuzuari Orloviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, nga neni 404 (par. 1) lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi