Për nder të 28 janarit “Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave”, është organizuar konferencë me temën “Mbrojtja e të Dhënave dhe Liria e Shprehjes – “Tash më Sigurt”.
Aty u tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi deri më tani ka pranuar 43 ankesa në raport me mbrojtjen e të dhënave personale dhe 147 ankesa të tjera në raport me qasjen në dokumentet publike.
Krenare Sogojeva-Demaku, komisionere për Informim dhe Privatësi me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Privatësisë, tha se kjo agjenci ka arritur që rreth 80 për qind nga këto ankesa të marrë vendime përfundimtare.
“Për sa i përket numrit të rasteve që Agjencia deri më tani ka trajtuar në kuadër të autorizimeve të veta ligjore, deri më sot kjo agjenci ka pranuar gjithsej 43 ankesa në raport me mbrojtje e të dhënave personale, ndërsa numri i ankesave që agjencia ka në raport me qasjen në dokumentet publike është shumë më i madh. Nëse e përfshijmë edhe numrin e ankesave të parashtruara për vitin 2022 është 147 ankesa, që 80 për qind prej tyre tashmë janë të mbyllura me vendime përfundimtare”, u shpreh ajo.
E shefi i Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power ka kërkuar që të zbatohet legjislacioni në fuqi, teksa ka thënë se është me rëndësi që të ruhen të drejtat e personale të secilit dhe siç tha ai të mos ndahen informatat e ndjeshme.
“Sot në shënimin e kësaj Dite në Kosovë të gjithë partnerët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave mirëpresin faktin që Kosova ka një kornizë legjislative dhe kushtetuese për me garantuar të drejtën e mbrojtës së të dhënave private dhe për të gjitha masat ndëshkuese e shoqëruese. Prandaj, si e tillë duhet zbatuar ky legjislacion. Është me rëndësi po ashtu që të gjithë të jemi të vetëdijshëm, edhe për të drejtat tona, por edhe për pasojat nëse i ndajmë informatat e tilla të ndjeshme”, u shpreh Power.