UBT News

14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj

Policia e Kosovës ka ndaluar një të mitur 14-vjeçar në Ferizaj, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe posedim të sprejit, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Sipas njoftimit zyrtar, reagimi i policisë erdhi pas marrjes së një informacioni se një person i mitur po mbante me vete armë zjarri dhe sprej. Njësia policore ka ndërhyrë menjëherë, ka identifikuar të dyshuarin dhe e ka ndaluar në vendngjarje.

Gjatë kontrollit fizik, tek i mituri janë gjetur një armë zjarri pa fishekë dhe një sprej, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, 14-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë.

Policia e Kosovës  u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të tillë për të garantuar sigurinë publik.

Exit mobile version