UBT News

14% rënie e rasteve globale me COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se 4.1 milionë raste me COVID-19 u raportuan javën e kaluar në botë – një rënie prej 14% të rasteve nga java e kaluar.

OBSh-ja po ashtu raportoi 84 mijë raste të vdekjes nga COVID-19 në nivel global, një rënie prej 2% nga java paraprake.

Rënia më e madhe në numrin e rasteve të reja dhe rasteve të vdekjes u vërejt në Evropë, sipas raportit. Megjithëkëtë, OBSh-ja paralajmëron se numri i rasteve me COVID është ende i lartë.

“Pavarësisht nga një trend në rënie globale gjatë katër javëve të fundit, incidenca e rasteve me Covid-19 dhe vdekjet mbeten të larta dhe rritje të konsiderueshme janë vërejtur në shumë vende në të gjithë botën”, thuhet në raport.

India raportoi numrin më të lartë të rasteve së fundmi – 1 milion e 846 mijë e 55 – ndonëse u tha se kishte një rënie prej 23% nga java e kaluar.

Në raportin e OBSh-së thuhet se B.1.617, që së pari u identifikua në Indi, u përhap më shumë në Britani të Madhe sesa B.1.1.7, varianti që u identifikua së pari në Britani të Madhe.

OBSh-ja rithekson rëndësinë e respektimit të masave antiCOVID për ta parandaluar përhapjen e varianteve./UBTNews

Exit mobile version