Kosova ka kapacitet për të marrë 300 të burgosur nga Danimarka dhe t’i mbajë ata deri në përfundimin e dënimit të tyre.
Autoritetet në vend bëjnë me dije se nga marrëveshja Kosova përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme.
Alban Muriqi, këshilltar i ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një intervistë për Euronews Albania tha se Ministria e Drejtësisë së Kosovës është kontaktuar nga ajo e Danimarkës për marrjen me qira të qelive të burgjeve të Kosovës për një numër të caktuar të të burgosurve.
“Ka pasur diskutime dhe negociata të gjata dhe kemi arritur marrëveshjen që në qendrën e paraburgimit në Gjilan të pranojmë një numër prej 300 të dënuarish nga Danimarka të cilët do të transferohen në faza të ndryshme dhe do të vuajnë dënimin e tyre në Kosovë”, thotë Muriqi.
Kush janë të burgosurit?
Nga Ministria e Drejtësisë bëhet e ditur se ata nuk janë persona të rrezikshëm dhe se dënimi maksimal i tyre është deri në 10 vjet. Ata janë të burgosur kryesisht të vendeve të treta, por që kanë lidhje familjare në Danimarkë.
Në kuadër të marrëveshjes janë përjashtuar të dënuarit me rrezikshmëri shumë të lartë, të dënuarit për terrorizëm si dhe të dënuarit me probleme të theksuara mendore – kategori këto që do ishin sfiduese për Kosovën të mbaheshin në burgjet e saj.
Krimet e kryera nga këta persona “janë krejtësisht të zakonshme” thotë Muriqi duke shtuar se nuk kanë parë në profilet e tyre që shquhen për ndonjë krim të rëndë.
“Janë kryesisht vjedhje, ka edhe me vrasje, lëndime, falsifikime, ndonjë kontrabandë”, bën të ditur ai.
I gjithë procesi ka shkuar drejt vlerësimit të kapaciteteve të Kosovës nëse është në gjendje në pikëpamje të infrastrukturës fizike dhe personelit se a është në gjendje t’i mbajë këta persona.
Në kuadër të negociatave dhe pajtueshmërisë për këtë marrëveshje, Muriqi thotë se Kosova e ka shqyrtuar profilin e këtyre të burgosurve dhe i gjithë procesi ka shkuar drejt vlerësimit të kapaciteteve të Kosovës nëse është në gjendje në pikëpamje të infrastrukturës fizike dhe personelit se a është në gjendje t’i mbajë këta persona
“Ekspertët nga Danimarka kanë vlerësuar se Kosova i plotëson standardet dhe kushtet”, tha Muriqi por shtoi se duhen edhe disa adaptime pasi çdo gjë duhet të jetë sipas standardeve daneze të burgut.
Ai thotë se Kosova nuk ka mbipopullim të burgjeve, dhe se janë 700 apo 800 qeli të hapura.
Pse po i largon Danimarka këta të burgosur?
Shumica nuk janë shtetas të Danimarkës.
Popullimi në burgjet e Danimarkës është rritur me 19% që nga viti 2015, duke arritur në më shumë se 4,000 të burgosur në fillim të vitit 2021 dhe duke tejkaluar 100% të kapacitetit, sipas statistikave zyrtare.
Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve ra me 18% në shtetin skandinav me 5.8 milionë banorë.
“Do të na mungojnë deri në 1000 vende në burgje deri në vitin 2025,” tha ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakerup.
“Me marrëveshjen është rënë dakord që të merren me qira 300 burgje në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”, tha ai.
Me çfarë ligjesh do të funksionojë?
Ministria e Drejtësisë thotë se do të vlejë ligji apo akti danez i burgjeve, i cili është një ligj i aplikueshëm atje. Njëlloj do të trajtohet dhe do të mbahet përgjegjëse Danimarka për trajtimin e tyre, me të drejtat dhe benefitet siç ju takojnë me ligj atyre.
“Kosova ofron kapacitetet fizike, një pjesë të mirë të kapacitetit të personelit dhe shërbimeve të tjera, ndërsa e gjithë përgjegjësia penale për të drejtat dhe realizimin e tyre i takon shtetit dërgues. Krejtësisht përgjegjëse është Danimarka dhe këtë e kemi vendosur në draft-marrëveshjen dhe traktatin ”, thotë Muriqi.
Çdo i dënuar do të fillojë vuajtjen e dënimit atje, do të bëhen procedurat e pranimit atje, pastaj do të fillojë transferimi i tyre.
“Dënimi maksimal është 10 vjet, por ka edhe të dënuar me 5-6 vjet”, shton Muriqi.
Ai bëri të ditur që Kosova nuk do të ketë asnjë obligim për transferimin e tyre në vendet e treta. Në një periudhë 5 ose 6 muaj para përfundimit të dënimit, ata do të rikthehen në Danimarkë ku do të përgatitet i gjithë dokumentacioni për t’i kthyer në vendet e tyre të origjinës.
Guvernatori i kësaj qendre do të jetë i Danimarkës, bashkë me pjesën kryesore të stafit menaxherial.
Kapaciteti i Kosovës për të marrë të burgosur nga vendet tjera
Përkundër Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës, ku thuhet se në vitin 2020 Kosova kishte 1,642 të burgosur në vitin 2020, përkatësisht 97 për qind të kapacitetit të saj, autoritetet kosovare thonë se kanë kapacitet dhe nuk presin rritje enorme të të burgosurve.
“Nuk presim rritje enorme të të burgosurve që do vinë dhe të na sjellin një situatë të palakmueshme. 700-800 vende janë të lira, 300 është maksimumi i të dënuarve nga Danimarka që do të vinë dhe prapë jemi mirë me gjendjen e shtretërve ose hapësirave në burgje”, thotë Muriqi.
Kosovës, megjithatë do t’i duhet të shtojë stafin lokal korrektues. Autoritetet vlerësojnë se duhet të punësohen rreth 150 persona, rrogat e të cilëve do të mbulohen nga shpenzimet që i parasheh buxheti i marrëveshjes.
Përfitimet e Kosovës
Republika e Kosovës përfiton në total 210 milionë euro përgjatë 10 viteve, të cilat përveç mirëmbajtjes së të burgosurve, do të dedikohen edhe në investime kapitale.
Shërbimi korrektues i Kosovës do të shpenzojë rreth 5 milionë euro për shpenzime operative për këta të dënuar në një vit; ndërsa Ministra e Drejtësisë mund të shpenzojë rreth 10 milionë në reformat në burgje.
Pra, janë 15 milionë euro të drejtuara në vit për Ministrinë e Drejtësisë.
“Pjesa tjetër e investimeve ose donacioneve në energjinë e ripërtërishme – gjë që është problem aktual në Kosovë – po ashtu është pjesë e kësaj pakoje investive ose pjesë e marrëveshjes”, thotë Muriqi.
Kjo marrëveshje ndërkombëtare nuk është e finalizuar, pasi që duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, ku duhen 2/3 të votave.
Nga Ministria e Drejtësisë janë optimistë që opozita do ta mbështesë atë, duke thënë se është një marrëveshje prej të cilës Kosova përfiton.
Kosova ka 11 qendra korrektuese, ndër të cilat përfshihen 5 qendra paraburgimi, 1 burg i sigurisë së lartë, 1 burg i grave, 1 qendër edukuese për personat e moshës nën 18 vjeç, dhe 3 qendra korrektuese apo burgje.
Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.Euronews.al