Në komunën e Gjilanit aktualisht janë 132 raste aktive me COVID-19. Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin e radhës për vlerësimin e situatës së përballjes me COVID-19.
“Edhe pse kemi më pak raste aktive krahasuar me disa javë më parë, kjo nuk na bënë që të ndihemi komod. Vetëm duke i respektuar masat anti-COVID-19, maskë, distancë dhe pastrim duarsh, mund ta parandalojmë përhapjen e infeksionit”, ka thënë Ismajli.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është kjo: nga 8 mijë e 507 mostra, 3 mijë e 237 kanë rezultuar pozitivë, 2 mijë e 999 janë shëruar, 99 e kanë humbur betejën, raste aktive janë 132, të hospitalizuar janë 19 pacientë dhe 78 mostra në pritje për rezultat./UBTNews