13 persona janë vrarë në rajonin e Kurdistanit në Irak, thonë zyrtarët, ndërkohë që Irani lëshoi raketa dhe drone të armatosura në ato që tha se ishin baza të grupeve opozitare kurde iraniane. Në mesin e viktimave ishte edhe një grua shtatzënë.
Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit tha se goditi “terroristët separatistë” që mbështetën “trazirat” e fundit. Protestat antiqeveritare janë shtrirë në të gjithë Iranin që nga vdekja në paraburgim e një gruaje kurde rreth dy javë më parë.
Mahsa Amini, 22-vjeçare nga qyteti veriperëndimor i Saqezit, ishte në vizitë në Teheran kur u arrestua nga policia e moralit për shkeljen e ligjit të veshjes, i cili u kërkon grave në Iran të mbulojnë kokën me hixhab ose shami. Nga policia thonë se ajo pësoi sulm në zemër, por familja e saj i hedh poshtë këto deklarata, dhe thotë se ajo u rrah nga zyrtarët policorë. Ajo vdiq në spital pas tri ditëve në koma.
Grupi kurd i të drejtave të njeriut Hengaw tha të hënën se 18 protestues kurdë ishin vrarë nga forcat e sigurisë, 898 të tjerë u plagosën dhe më shumë se 1 mijë u arrestuan ndërsa autoritetet iraniane tentuan ta shtypin protestën./UBTNews/