Klinika Infektive nga kjo javë ka rritur kapacitetet spitalore në mjekimin intensiv, ku nga 4 shtretër sa kishte më herët tani ka në dispozicion 20, ndërsa aktualisht 13 prej tyre janë të zënë me pacientë në gjendje kritike. Në këtë Klinikë gjithsej janë të shtrirë 112 pacientë, prej tyre 92 janë me oksigjenoterapi.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj i cili tha se tash e dy ditë QKUK ka marrë vendim që edhe në këtë klinikë të ketë më shumë hapësirë për pacientët me gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Në Klinikën Infektive kemi filluar me një riorganizim të ri duke funksionalizuar edhe Mjekimin Intensiv në kuadër të Klinikës Infektive dhe ka kapacitet 20 pacientë, përpara kemi pasur kapacitet t’i pranojmë 4 pacientë dhe tash kemi i kemi shtuar kapacitetet në Mjekimin Intensiv dhe rrjedhimisht kemi numër të pacientëve të gjendje shumë më të rëndë dhe kritike më shumë. Tani për tani i kemi 13 pacientë, të cilët kanë nevojë për mjekimin intensive vetëm edhe 7 vende të lira dhe Mjekimi Intensiv mbushet që në ditën e parë të funksionalizimit të tij. Kemi gjithsej 112 pacientë të tjerë, të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, 92 prej tyre janë me oksigjenoterapi”, tha Vishaj.
Infektologu Vishaj thotë se vetëm 8 për qind e të gjithë pacientëve të hospitalizuar kanë qenë të vaksinuar, dhe po këta pacientë kanë manifestuar gjendje më të mirë klinike në krahasim me ata që nuk kanë qenë të imunizuar kundër COVID-19. Ai thotë se të gjitha efektet që po administrohen në Kosovë po japin efekte të mira te pacientët.
“Vaksinat janë duke funksionuar jashtëzakonisht mirë dhe pacientët e vaksinuar nuk po zhvillojnë formë të rëndë klinike. Ne në Klinikën Infektive 6 deri në 8% të pacientëve të hospitalizuar i kemi të vaksinuar. Të gjitha vaksinat, pa marr parasysh prodhuesit, kanë pasur efekte të njëjta në mos rëndimin e shëndetit dhe kanë pasur efekt shumë të mirë në parandalimin e vdekjeve”, tha Vishaj.
Ai thotë se varianti delta, duke qenë më ngjitës, ka sulmuar sidomos moshat e reja dhe të mesme, ndonëse nuk kanë pasur sëmundje shoqëruese.
“Në valët e mëhershme kryesisht kemi pasur të prekur mosha të vjetra, të cilat kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese. Në ditët e fundit kur kemi një dominim të variantit delta, ne kemi mosha të reja dhe të mesme, të cilët nuk kanë pasur shumë sëmundje bashkë shoqëruese, por si duket ata kanë reaguar në mënyrë të vrullshme ndaj infeksionit ose agresiviteti i pranisë të virusi ka qenë në nivel ka qenë I lartë që ka çuar në dëmtim kaq të madh të shëndetit të tyre”, tha Vishaj.
Infektologu i Klinikës Infektive thotë se aktualisht janë mirë të furnizuar me barnat nga lista esenciale, por që barin antiviral Remdivisir pacientët po detyrohen ende ta sigurojnë nga xhepi i tyre.
“Sa i përket furnizimit me listën esenciale të barnave furnizimi ka qenë i mirë, bari antiviral Remdesivir ende nuk është siguruar nga MSH herë pas here kemi pasur disa etapa të mungesës së barnave tjerë që mjerisht popullata jonë është detyruar që t’i sigurojnë përmes formës private të tyre”, u shpreh Vishaj.
Sipas raportit të 24 orëve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në klinikat COVID-19 të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitaleve të përgjithshme, trajtim mjekësor nga COVID-19 po marrin 1122 pacientë.
1001 nga ta janë të konfirmuar me COVID-19, 922 me oksigjeno-terapi dhe 78 në gjendje të rënduar shëndetësore.
Në 24 orët e fundit si pasojë e sëmundjes COVID-19 kanë humbur jetën 19 pacientë, një rënie kjo e lehtë krahasuar me dje kur ishin 24.