120 milionë njerëz u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre globalisht për shkak të luftës, dhunës dhe persekutimit. Për të 12-tin vit radhazi numri është rritur, njoftoi agjencia e OKB-së për refugjatët.
Sipas agjencisë, popullsia globale e zhvendosur aktualisht është e barabartë me atë të Japonisë.
Konfliktet e reja në Sudan dhe Gaza kontribuan në rritjen, të cilën shefi i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi e quajti një “akuzë të tmerrshme për gjendjen e botës”. Ai u bëri thirrje qeverive që të trajtojnë shkaqet rrënjësore të problemit, në vend që të politizojnë refugjatët dhe të kthehen në zgjidhje të shpejta si mbyllja e kufijve, të cilat ai tha se nuk do ta zgjidhin problemin. Gjithashtu u kërkoi shteteve që të punojnë bashkarisht për zgjidhje më të qëndrueshme.
Sipas raportit vjetor të agjencisë, krizat e reja dhe të vjetra rritën numrin e refugjatëve në nivel global që nga prilli i vitit 2024.
Në Sudan, lufta që filloi midis gjeneralëve rivalë në prill të vitit 2023, solli dëbimin e mbi nëntë milionë njerëzve nga shtëpitë e tyre.
Në Gaza, lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka zhvendosur rreth 75% të popullsisë – 1.7 milion njerëz – që nga muaji tetor./UBTNews/