UBT News

12-vjeçarja rrëfen tmerrin pas 32 orësh nën rrënojat e tërmetit në Venezuelë: Mendova se do të vdisja

Fabiana Blanco, një vajzë 12-vjeçare, ka rrëfyer momentet e tmerrshme që përjetoi pasi mbeti e bllokuar për 32 orë nën rrënojat e tërmetit të 24 qershorit në Venezuelë.

“Pashë gjëra që dridheshin, binin e thyheshin, pastaj muret u çanë. Muri që ndante apartamentin tim nga ai i një shoku u shemb. Në atë moment mendova se do të vdisja. Askush nuk do të më shpëtonte”, ka treguar ajo.

Nëna e saj, Karina, ndodhej në punë kur ndodhi tërmeti. Sapo mori lajmin, ajo vrapoi drejt banesës në Caraballeda, ku vajza kishte mbetur vetëm.

“Po vrapoja nga njëri skaj i kompleksit në tjetrin duke bërtitur: ‘Vajza ime ka vdekur’. Nuk dija çfarë të bëja”, rrëfeu Karina, pasi pa gjysmën e shtratit të Fabianës që dilte nga rrënojat.

Shpresa u rikthye kur një infermiere, e cila gjithashtu kishte mbetur e bllokuar, filloi të thërriste për ndihmë. Fabiana iu përgjigj, ndërsa gjashtë orë pas tërmetit infermierja u shpëtua dhe u tregoi vullnetarëve se brenda rrënojave ndodhej ende gjallë një vajzë me emrin Fabiana.

Ndërkohë, 12-vjeçarja mbeti e bllokuar në kushte tepër të vështira.

“Njëra këmbë më ishte lënduar. U gërvishta dhe u preva, por gjeta një shishe ketchup dhe pak djathë. Ato më ndihmuan të qëndroja e vetëdijshme”, tregoi ajo.

Në mëngjes, zjarrfikësit arritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta kontaktonin, por nuk morën përgjigje, duke shtuar ankthin e familjes.

Më vonë, një vullnetar i quajtur Viktor u ngjit mbi rrënoja dhe vazhdoi ta thërriste derisa Fabiana arriti ta dëgjonte dhe t’i përgjigjej.

Pas 32 orësh, ekipet e shpëtimit hapën një tunel të ngushtë dhe arritën ta nxirrnin të gjallë.

Përveç një frakture në këmbën e majtë dhe disa gërvishtjeve e mavijosjeve, Fabiana nuk pësoi lëndime të rënda. Megjithatë, ajo thotë se përjetimi ka lënë pasoja emocionale dhe frika nga ajo natë e tmerrshme e shoqëron ende./A.K/

Exit mobile version