12 kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dhënë betimin e tyre për të filluar studimet në Qendrën për Studime Universitare.
Të rinjtë i pret një shkollim katërvjeçar në mënyrë që të arrijnë të bëhen oficerë të FSK-së.
Në ceremoninë e betimit, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka kërkuar nga ata që të arrijnë zhvillimin e duhur fizik dhe moral por edhe të mos harrojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar.
Kadetët e rinj të Forcës e shohin rrugëtim me shumë sfida por që i bën të ndjehen përgjegjës dhe krenar.
“Është një ndjenjë tepër e veçantë dhe e lumtur meqë e kam bartur traditën dhe historinë e Kosovës dhe besoj që në një të ardhme të shpejtë do t’i bëjë krenarë prindërit dhe ata që kanë qenë të gatshëm me dhënë jetën për këtë vend”, thotë kadet Dardan Syla.
Ministri Mehaj ka thënë se pret nga kadetët e rinj që pas shkollimit të tyre të jenë të gatshëm të bashkohen në operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe sigurisë.
“Kërkoj nga ju që çdo ditë të studioni e të informoheni me historinë e popullit tonë, kjo histori që përmban jo vetëm luftën për liri, drejtësi dhe barazi. Heronjtë tanë janë ata të cilët janë në çdo hap dhe do t’i marrim në çdo hap që e qesim përpara. Pa ta nuk do të kishim të kaluarën e lavdishme dhe as të ardhmen e ndritur. Që nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e deri të komandanti legjendar Adem Jashari populli ynë nuk pranoi asnjëherë nënshtrimin por qëndroi me ballin lartë ndaj luftës kundër pushtuesve, për liri jetojmë, për liri vdesim, pa liri nuk ekzistojmë. Liria është kryefjala e kombit tonë. Të dashur kadetë, nga ju pres për katër vitet e ardhshme që të arrini zhvillimin e duhur ushtarak, atë fizik dhe moral të bëheni udhëheqës me karakter të fortë dhe të jeni të gatshëm t’i bashkoheni me stërvitje dhe operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes, sigurisë, stabilitetit rajonal por edhe më gjerë, krah njëri tjetrit dhe partnerëve tanë”, ka thënë Mehaj.
Ndërsa zëvendëskomandanti i Qendrës për Studime Universitare, Albian Ajvazi ka thënë se këta kadetë që janë pjesë e klasës 2026 kanë kaluar suksesshëm një mori testesh që ishin kritere për pranimin në QSU.
“Të dashur kadetë, sot trupës tuaj po i shtohen dhe 12 kadetë të rinj, ju bashkërisht me stafin do të mësoni ata se çka do të thotë të jesh kadetë i QSU-së. E di që ju nuk do të bëni kompromis dhe do të siguroheni që secili që dëshiron të gëzojë këtë privilegj do të duhet ta meritojë atë”, ka thënë ai.
Qendra për Studime Universitare e FSK-së funksionon që nga viti 2005 dhe nga kjo Qendër deri më tani kanë dalë mbi qindra oficerë të FSK-së, të cilët shërbejnë në nivele dhe njësi të ndryshme komando-shtabore të FSK-së.