UBT News

112-vjetori i ngritjes së flamurit kombëtar në Durrës

Sot shënohet 112-vjetori i ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Durrës, një ngjarje historike që u realizua më 26 nëntor të vitit 1912, kur Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin në këtë qytet të rëndësishëm. Kjo ngjarje ka një rëndësi të madhe për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe për periudhën që i parapriu asaj ngjarjeje të lavdishme.

Hafiz Ali Podgorica, i cili në atë kohë mbante postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit, si dhe atë të kadiut dhe myftiut, pati një angazhim të rëndësishëm në proceset politike dhe fetare të atij periudhe. Ai kontribuoi në kapërcimin e dallimeve fetare mes besimeve të ndryshme në Shqipëri për hir të kauzës kombëtare. Ndihmesa e tij, ashtu si dhe e figurave të tjera fetare të kohës, ishte thelbësore për unitetin e kombit në një moment kyç të historisë.

Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit me brohoritje dhe me një atmosferë ngazëlluese. Më pas, mytesarifi i Durrësit u pushua, ndërsa Hamid bej Toptani u emërua guvernator provizor. Sidoqoftë, mitropoliti i qytetit refuzoi të pranojë administratën lokale dhe trupat mbrojtëse të qytetit u liruan. Sipas një radiotelegrami të dërguar nga nënkonsulli Rudnay drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme britanike, informohej se “paria e vendit u doli serbëve përpara”, por mungonin informata të sakta për lëvizjet e ushtrisë serbe, të cilët ishin nisur nga Kruja.

Dy ditë pas ngritjes së flamurit në Durrës, në Kuvendin e Vlorës, përfaqësues të Durrësit, si Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Çelkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, morën pjesë si delegatë dhe nënshkruan aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një hap i rëndësishëm drejt formimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Ky moment historik do të mbahet mend si një ngjarje e paharrueshme në historinë e kombit shqiptar, një dëshmi e forcës dhe unitetit të popullit shqiptar në periudhën e luftës për liri dhe pavarësi./UBTNews/

Exit mobile version