UBT News

11 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

Sot bëhen 11 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.

Këto janë pikat e marrëveshjes për të cilat u pajtuan me 19 prill të 2013-ës Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje.

Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

Strukturat e Asociacionit/Komunitetit do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural.

Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.

Me ndihmën e BE, nga të dy palët do të krijohet një Komitet i Implementimit.

Exit mobile version