Një aksion policor i zhvilluar në fshatin Pozheran të Vitisë ka rezultuar me arrestimin e 11 personave, të dyshuar për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.
Sipas Policisë, aksioni është realizuar pas pranimit të informacioneve relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit. Më 4 qershor, njësitet policore kanë kryer bastisje në një lokacion ku dyshohej se po ushtrohej veprimtari e paligjshme.
Gjatë kontrollit, janë arrestuar 11 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar edhe prova materiale që lidhen me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se provat e mbledhura do të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt gjyqësore.
