Policia ka dhënë detaje lidhur me aksionin antidrogë të zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Mitrovicës dhe Pejës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni policor janë arrestuar 11 persona dhe janë sekuestruar materiale si: shtatë armë (2 Ak47, 5 revole), 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5500 euro (para të gatshme) e gjashtë telefona.
“Po ashtu njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll).
Gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si:
• shtatë (7) armë (2 Ak47, 5 revole),
• rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm,
• 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m,
• mbi 25 gram kokainë,
• 5500 euro (para të gatshme),
• gjashtë telefona,
• si dhe dokumente relevante për rastin”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Me urdhër të prokurorit, gjashtë prej tyre janë dërguar në mbajtje.