Sot mbushen plot 10 vite nga ngritja e flamurit “Autochthonous” mbi Beograd, një moment historik që u shoqërua me shumë emocione dhe simbolikë. Ky përvjetor kujton angazhimin dhe sakrificat që kanë bërë shqiptarët për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar në një kontekst të vështirë.
Një nga figurat kryesore të këtij momenti, Ballist Morina, ka ndarë mendimet e tij për këtë ngjarje dhe rëndësinë e saj për brezin e ri. Ai përshkruan dekadën e fundit si një periudhë të mbushur me krenari, por edhe me sfida të mëdha.
Në një postim emocionues, ai thotë:
“10 vite AUTOCHTHONOUS, 10 vite lavdi, krenari, por edhe 10 vite peripecie, përndjekje, ndalime, paragjykime, përballje, sulme etj. Pavarësisht të gjithave, unë dhe shoku im nga Shkupi, Molos Parthini, kemi mbijetuar sfidave, ashtu si Shqipëria përballë pushtimeve dhe vuajtjeve ndër vite, dekada e shekuj.”
Morina vazhdon duke theksuar se kontributi për vlerat familjare, qytetare dhe atdhetare do të vazhdojë deri në frymën e fundit. Ai shpreh falënderime edhe për djemtë e kombëtares shqiptare të futbollit, të cilët, sipas tij, luajtën një rol kyç në mbrojtjen e flamurit “Autochthonous” gjatë asaj nate të paharrueshme.
“Në këtë përvjetor, nuk mund të lëmë pa përmendur reagimin e fuqishëm të djemve të kombëtares, sepse pa ta, kjo që po përkujtojmë sot nuk do kishte asnjë kuptim!” thotë ai.
Ballist Morina u jep një mesazh të fuqishëm brezave të rinj: “Mbrojtja e vlerave familjare, qytetare dhe atdhetare ka një çmim, nganjëherë çmim edhe të lartë, por ju nuk duhet KURRË të dekurajoheni përballë pasojave, pasi mbrojtja e këtyre vlerave nuk ka asnjë çmim! Zoti na ruajt të gjithë neve!”/UBTNews/