Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 10 mijë euro për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, e cila u dëmtua nga vërshimet.
Kështu mori vendim të enjten qeveria në detyrë në takimin online, e për të cilin vendim njoftoi kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Po ashtu qeveria në detyrë mori vendim edhe për ndarjen e 200 mijë euro për komunën e Bujanovcit për të sanuar dëmet nga vërshimet.
Qeveria në detyrë vazhdon të kryejë me përkushtim detyrat që burojnë nga mandati i saj. Në takimin online Qeveria në detyrë ka marrë një sërë vendimesh midis tyre:
· 10 mijë euro janë ndarë për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuare nga vërshimet në Mal të Zi.
· Me 200 mijë euro do të ndihmohet Komuna e Bujanocit për sanimin e dëmeve nga vërshimet.
· Qeveria ka ndarë 12 milion euro për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për subvencione dhe transfere.
· Qeveria ka autorizuar Klinikën e Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me MPMS-në dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.