UBT News

10 mijë emigrantë dërgohen në frontin e luftës me Ukrainën

Rusia deri më tani ka rekrutuar dhe dërguar rreth 10 mijë burra për të luftuar në konfliktin e saj të armatosur, më shumë se dyvjeçar, kundër Ukrainës, deklaroi një zyrtar i lartë.

“Ne kemi kapur tashmë më shumë se 30 mijë emigrantë që morën nënshtetësinë dhe nuk donin të regjistroheshin për shërbimin ushtarak. Ne dërguam rreth 10 mijë prej tyre në zonat e operacionit të posaçëm ushtarak”, tha kreu i Komitetit Hetues Rus, Alexander Bastrykin.

Bastrykin ishte një shok universiteti i presidentit Vladimir Putin dhe konsiderohet një i besuar i ngushtë i shefit të Kremlinit.

Sipas Bastrykin, rekrutët janë kryesisht përgjegjës për gërmimin e llogoreve dhe ndërtimin e fortifikimeve. Në muajt e fundit, forcat e sigurisë kanë kryer bastisje të përsëritura mbi bizneset me punëtorë migrantë, kryesisht nga vendet e Azisë Qendrore postsovjetike.  Ata që kanë marrë tashmë pasaporta ruse shpesh rekrutohen me forcë, raportojnë mediat ruse. Të tjerëve u premtohet një proces më i lehtë natyralizimi nëse dërgohen në front shkruan ATA.

Sipas Putinit, 700 mijë ushtarë rusë janë aktualisht në vijën e frontit në Ukrainë. Disa prej tyre u rekrutuan në një mobilizim të pjesshëm në vjeshtën e vitit 2022./UBTNews/

Exit mobile version