Numri i të rriturve amerikanë që u trajtuan në lidhje me shëndetin mendor u rrit gjatë pandemisë së COVID-19, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Afërsisht 22% e të rriturve u trajtuan në lidhje me shëndetin mendor, krahasuar me 19% në vitin 2019.
Sipas epidemiologes Calliope Holingue, e cila është edhe anëtare e grupit punues për mbikëqyrjen e shëndetit mendor gjatë pandemisë nga Universiteti Johns Hopkins, kjo mund të ketë ndodhur për shkak të rritjes së nevojës dhe qasjes më të mirë në trajtim.
“Pandemia ka shtruar një diskutim të rëndësishëm rreth nevojës për t’u kujdesur për veten. Popullsia si tërësi po reflekton”, deklaroi ajo.
Në përgjithësi, raporti i CDC zbuloi se rritja e trajtimit lidhur me shëndetin mendor u nxit kryesisht nga të rriturit nën moshën 45-vjeçare.
Të rriturit 18 deri në 44 vjeç më pak ishin trajtuar në lidhje me shëndetin mendor në vitin 2019, por numri u rrit mes tyre në vitin 2021. Gati 1 në 4 të rritur (më shumë se 23%) në këtë grupmoshë u trajtuan për shëndetin mendor në vitin 2021, një rritje prej gati 5% nga viti 2019./UBTNews/